Ish-basketbollistja Anduena Rifati ka dhënë dorëheqje nga pozita e vëzhgueses në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), vendim të cilin e ka bërë të ditur përmes një letre zyrtare drejtuar institucionit, e cila njëkohësisht është dërguar edhe në redaksinë tonë.
Në letrën e saj, Rifati thekson se dorëheqja vjen pas një reflektimi të gjatë dhe të qetë, duke renditur disa arsye që, sipas saj, e kanë shtyrë drejt këtij vendimi. Ajo shprehet se gjatë edicionit 2025/26 është ndier e injoruar dhe e neglizhuar nga Komisioni i Nominimeve, pa asnjë sqarim apo vlerësim të drejtë për kontributin e saj.
Mes tjerash, Rifati ngre shqetësime edhe për mungesën e mbështetjes institucionale për përfshirjen gjinore në strukturat e FBK-së, duke theksuar se si femër, integrimi dhe avancimi profesional i saj ka qenë i kufizuar. Ajo kritikon gjithashtu zbehjen e parimit të meritokracisë, duke vënë në dyshim kriteret mbi të cilat bëhen delegimet dhe vlerësimet.
Në letrën e dorëheqjes, Anduena Rifati nënvizon përvojën e saj të pasur në basketboll, duke përfshirë rolin si basketbolliste aktive, reprezentuese e Kosovës, gjyqtare dhe së fundmi si vëzhguese. Ajo thekson se vjen nga një familje basketbolliste dhe se njohuritë për lojën i ka ndërtuar që herët, të përforcuara ndër vite me përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm.
Sipas saj, pavarësisht këtij bagazhi profesional dhe njerëzor, kontributi i saj nuk ka qenë i mjaftueshëm për t’u vlerësuar në mënyrë të drejtë apo për të qenë pjesë e proceseve të avancimit profesional. Rifati shpreh zhgënjim edhe ndaj, siç e quan ajo, një klime të “antivlerave”, selektimeve të preferuara dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje.
Si kulm të gjithë situatës, ajo përmend edhe mungesën e ftesës nga FBK-ja për ceremoninë e shpalljes së laureatëve të fundvitit, duke e cilësuar këtë si një tjetër shenjë mospërfilljeje institucionale.
Deri më tani, Federata e Basketbollit të Kosovës nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me dorëheqjen dhe pretendimet e ngritura nga Anduena Rifati.






