Avokatët e Sean “Diddy” Combs i kanë kërkuar Gjykatës Federale të Apelit në New York që të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të tij nga burgu ose të shfuqizojë dënimin për akuza që lidhen me prostitucionin ose alternativisht t’i kërkojë gjyqtarit të çështjes t’ia ulë dënimin.
Në një kërkesë të dorëzuar të martën vonë në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dytë të SHBA-së, avokatët argumentojnë se producenti dhe reperi 56-vjeçar është ndëshkuar në mënyrë të padrejtë dhe se gjyqtari ka lejuar që në dënim të ndikojnë akuza për të cilat juria e shpalli të pafajshëm, ka raportuar ABC News.
Combs ndodhet aktualisht në burg në New Jersey dhe pritet të lirohet në muajin maj të vitit 2028. Në korrik, ai u shpall i pafajshëm për komplot kriminal dhe trafikim seksual, por u shpall fajtor për shkelje të “Mann Akt”, ligj federal që ndalon transportimin e personave përtej kufijve shtetërorë për qëllime seksuale kriminale.
Avokatët e tij pretendojnë se gjyqtari Arun Subramanian ka vepruar si “anëtar i trembëdhjetë i jurisë” gjatë dhënies së dënimit në muajin tetor, duke u mbështetur në prova dhe dëshmi që lidhen me akuzat për të cilat Combs ishte shpallur i pafajshëm.
Sipas tyre, Combs u dënua për dy akuza më të lehta që lidhen me prostitucionin dhe që, sipas vendimit të jurisë, nuk përfshinin forcë, mashtrim apo detyrim. Ata i kërkojnë gjykatës së apelit që ta shpallë të pafajshëm, të urdhërojë lirimin e menjëhershëm ose t’i kërkojë gjyqtarit uljen e dënimit.
“Të pandehurit zakonisht dënohen me më pak se 15 muaj burgim për këto vepra, edhe kur përfshihet detyrimi, gjë që juria nuk e gjeti në këtë rast”, shkruajnë avokatët.
Ata kanë shtuar se gjyqtari e sfidoi vendimin e jurisë dhe arriti në përfundim se Combs kishte “detyruar”, “shfrytëzuar” dhe “imponuar” marrëdhënie seksuale ndaj partnereve të tij dhe kishte drejtuar një komplot kriminal. Sipas tyre, këto gjetje gjyqësore e tejkaluan vendimin e jurisë dhe çuan në dënimin më të ashpër të dhënë ndonjëherë për një rast të ngjashëm.
Gjatë shpalljes së dënimit, gjyqtari Subramanian ka deklaruar se kishte marrë parasysh trajtimin që Combs u kishte bërë dy ish-partnereve të tij, të cilat dëshmuan në gjyq se ai i kishte rrahur dhe i kishte detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me punëtorë të seksit, ndërsa ai i shikonte dhe i filmonte, ndonjëherë edhe duke u masturbuar.
Ish-e dashura e tij, këngëtarja Casandra “Cassie” Ventura, ka dëshmuar se Combs e kishte detyruar të kryente “akte seksuale të neveritshme” me të panjohur qindra herë gjatë lidhjes së tyre dhjetëvjeçare, e cila përfundoi në vitin 2018. Juria pa gjithashtu një video ku Combs shihej duke e tërhequr dhe rrahur Venturën në korridorin e një hoteli në Los Angeles, pas një prej këtyre ngjarjeve disa-ditore të quajtura “freak-off”.
Një ish-partnere tjetër, e cila dëshmoi me pseudonimin “Jane”, ka deklaruar se ishte vënë nën presion për të kryer marrëdhënie seksuale me punëtorë meshkuj gjatë asaj që Combs i quante “netët e hotelit”, takime seksuale të shoqëruara me drogë, që sipas saj ndodhën nga viti 2021 deri në 2024 dhe zgjatnin disa ditë.
Gjyqtari Subramanian hodhi poshtë mbrojtjen e Combs.
“E refuzoj përpjekjen e mbrojtjes për ta paraqitur atë që ndodhi këtu si përvoja intime dhe konsensuale, apo thjesht si një histori me seks, droge dhe muzike rock”, ka deklaruar gjyqtari.
Ai ka shtuar se Combs ka abuzuar me pushtetin dhe kontrollin që kishte mbi jetën e grave që thoshte se i donte.
“I abuzuat ato fizikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht, dhe e përdorët këtë abuzim për të marrë atë që donit, veçanërisht kur bëhej fjalë për ‘freak-offs’ dhe netët e hotelit”, ka thënë ai.






