Xhudistja kosovare Distria Krasniqi është në qendër të vëmendjes së sportit ballkanik, pasi është përzgjedhur në mesin e dhjetë sportistëve më të mirë të Ballkanit për vitin 2025.
Kjo listë prestigjioze publikohet nga Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA), e cila për të 52-tin vit radhazi shpall më të dalluarit e sportit në rajon, përmes votimit të agjencive të lajmeve nga 12 shtete të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.
Distria është pjesë e një elite të sportistëve botërorë dhe evropianë, krahas kampionëve të mëdhenj dhe emrave të njohur të sportit ndërkombëtar, përfshirë edhe yje të NBA-së.
Nga gjithsej 47 sportistë të përfshirë në procesin e votimit, ajo u rendit ndër dhjetë më të votuarit, duke konfirmuar statusin e saj si një nga sportistet më të suksesshme të rajonit. Fituesi i përgjithshëm i kësaj gare do të shpallet më 16 shkurt në Sofje.
Viti 2025 ka qenë sërish i jashtëzakonshëm për Distria Krasniqin. Ajo fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në Podgoricë më 23 prill, ndërsa më 13 qershor u shpall nënkampione bote në Kampionatin Botëror të mbajtur në Budapest.
Përveç këtyre sukseseve, Krasniqi ka fituar medalje në çdo garë të madhe ku ka marrë pjesë: medalje bronzi në Grand Slamin e Parisit, medalje argjendi në Grand Prix të Austrisë, medalje ari në Grand Prix të Zagrebit dhe medalje bronzi në Grand Slamin e Abu Dabit.
Me dy medalje olimpike në karrierë, një të artë dhe një të argjendtë, Distria Krasniqi vazhdon të synojë majat e sportit botëror, me objektiv të qartë Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”. /ATVLIVE.TV






