Sot do të nis gjyqi ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Seanca fillestare ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq do të mbahet në orën 09:30 të 24 dhjetorit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Më 9 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të pandehurve për shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë.
Prokuroria i ngarkon të pandehurit me veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.
Prokuroria thotë se të akuzuarit, së bashku me persona ende të panjohur, kanë vepruar me qëllim të frikësimit të popullsisë dhe rrezikimit të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit. Eksplozivi, i vendosur përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni dhe i aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës, ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit.
Si pasojë, është ndërprerë furnizimi me ujë për disa komuna në veri dhe qendër të Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike. Dëmet materiale llogariten në 376 mijë e 774 euro e 70 centë.






