4 C
Pristina
Tuesday, December 23, 2025

Zyrtare: Lyon huazon Endrick nga Real Madrid, talenti brazilian nis aventurë të re në Ligue 1

Olympique Lyon ka kompletuar zyrtarisht huazimin e sulmuesit të talentuar brazilian Endrick nga Real Madrid. 19-vjeçari do të luajë për klubin francez deri në fund të sezonit, në një marrëveshje që nuk përfshin opsion blerjeje.

Sipas kushteve të marrëveshjes, Lyon do të mbulojë një pjesë të pagës së lojtarit, ndërsa Real Madrid do të përfitojë kompensim financiar shtesë në rast se Endrick nuk arrin të zhvillojë të paktën 25 paraqitje gjatë huazimit. Shuma e këtij kompensimi do të varet edhe nga numri i ndeshjeve që Lyon do të luajë në garat e kupës dhe në Ligën e Evropës.

Endrick do të mbajë fanellën me numrin 9 te Lyon, por nuk do të jetë menjëherë në dispozicion të trajnerit. Rregulloret në Francë parashikojnë që një lojtar të presë katër ditë nga regjistrimi zyrtar i marrëveshjes përpara se të debutojë, çka do të thotë se ai do të mungojë në përballjen ndaj Monacos më 3 janar, pasi kontrata nuk mund të regjistrohet para 1 janarit.

Talenti brazilian ka vendosur të pranojë ofertën e Lyon pas mungesës së minutave të rregullta te Real Madrid, duke besuar se kjo lëvizje do t’i ndihmojë jo vetëm zhvillimin personal, por edhe rritjen e shanseve për t’u përfshirë në përfaqësuesen e Brazilit për Kupën e Botës së vitit të ardhshëm.

Real Madrid e kishte shtyrë vendimin për të ardhmen e Endrick gjatë këtij sezoni, por me kalimin e kohës u bë e qartë se ai nuk ishte pjesë e planeve të trajnerit Xabi Alonso. Gjatë këtij edicioni, Endrick ka regjistruar vetëm tri paraqitje: një si zëvendësues në La Liga, një në Ligën e Kampionëve dhe një si titullar në fitoren ndaj CF Talavera në rundin e 32-të të Kupës së Mbretit.

Në sezonin 2024/2025, nën drejtimin e Carlo Ancelottit, tashmë përzgjedhës i Brazilit, Endrick pati më shumë hapësira, duke zhvilluar 22 ndeshje në La Liga, megjithëse vetëm tri prej tyre si titullar.

Endrick iu bashkua Real Madridit nga Palmeiras në dhjetor të vitit 2022, por nënshkroi zyrtarisht kontratën në korrik 2024, sapo mbushi moshën e lejuar. Deri tani, ai ka zhvilluar 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet për “Los Blancos”, duke shënuar shtatë gola dhe një asistim.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA