Boston Celtics regjistruan një fitore të madhe para tifozëve të tyre në TD Garden, duke mposhtur Indiana Pacers me rezultat 103:95, në një ndeshje ku dominimi i pjesës së dytë rezultoi vendimtar.
Takimi nisi më mirë për mysafirët nga Indiana, të cilët hynë në parket me ritëm të lartë dhe e mbyllën çerekun e parë me epërsi prej nëntë pikësh. Pacers vazhduan të kontrollonin lojën edhe në çerekun e dytë, duke e thelluar avantazhin dhe shkuan në pushim me shifrat bindëse 61:43. Në një moment, diferenca arriti deri në 20 pikë, duke lënë të kuptohej një mbrëmje e vështirë për vendasit.
Por pjesa e dytë solli një tjetër fytyrë të Bostonit. Celtics reaguan fuqishëm në çerekun e tretë, duke rritur agresivitetin në mbrojtje dhe efikasitetin në sulm, çka bëri që diferenca të ulej në vetëm tetë pikë. Në periodën e fundit, skuadra e drejtuar nga Joe Mazzulla e mori plotësisht kontrollin e ndeshjes, përmbysi rezultatin dhe pa ndonjë dramë të madhe në fund, siguroi një fitore të merituar.
Ylli i mbrëmjes për Bostonin ishte Jaylen Brown, i cili shkëlqeu me 31 pikë, ndërsa Derrick White dha kontribut të rëndësishëm me 19 pikë. Në anën tjetër, për Indiana Pacers më i dalluari ishte Pascal Siakam me 25 pikë, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Me këtë triumf, Boston Celtics konsolidojnë pozitën e tretë në renditjen e Konferencës Lindore të NBA-së, me bilanc 18 fitore dhe 11 humbje. Ndërkohë, Indiana Pacers vazhdojnë të përballen me vështirësi këtë sezon, duke u renditur në vendin e 14-të me vetëm gjashtë fitore dhe 23 humbje.
Golden State Warriors ka shënuar fitoren e dytë radhazi pasi mposhti Orlando Magic me rezultat 120-97.
Më meritoret për këtë fitore ishin, Stephen Curry me 26 pikë e gjashtë asistime dhe Moses Moody me 20 sosh.
Te skuadra humbëse u dalluan Paolo Banchero me 21 pikë, 12 kërcime e shtatë asistime dhe Desmond Bane me 20 të tjera.
Warriros gjenden në vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit derisa Magic në poziten e gjashtë në Lindje.






