Neymar i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje artroskopike në gju, ka bërë të ditur klubi i tij Santos, teksa ylli brazilian synon të rikthehet në formën optimale për të mbajtur gjallë shanset e tij për pjesëmarrje në Kupën e Botës.
“Është kryer një artroskopi për trajtimin e një dëmtimi në meniskun medial. Ndërhyrja kirurgjikale ishte e suksesshme dhe lojtari është në gjendje të mirë,” thuhet në deklaratën zyrtare të klubit, ku theksohet se operacioni u realizua nga mjeku i përfaqësueses braziliane, Rodrigo Lasmar.
33-vjeçari po kalonte një periudhë të mirë me fanellën e Santosit përpara operacionit, duke luajtur edhe me dhimbje dhe duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit, një kontribut vendimtar për mbijetesën e ekipit në elitën e futbollit brazilian. Edhe pse klubi nuk ka dhënë një afat zyrtar për rikuperimin, mediat lokale raportojnë se Neymar mund të mungojë deri në një muaj.
Neymar është golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses braziliane me 79 gola, por nuk ka veshur fanellën e kombëtares që nga viti 2023, për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Trajneri Carlo Ancelotti ka qenë i qartë, duke theksuar se ai duhet të jetë “në formë të shkëlqyer” për t’u rikthyer në ekip për Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet verën e ardhshme në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shëndeti dhe koha mbeten faktorët vendimtarë për rikthimin e Neymarit në arenën më të madhe të futbollit botëror. /ATVLIVE.TV






