Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për ish-pjesëtarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuar për lidhje me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, më 1 nëntor 2025.
Sipas njoftimit të gjykatës, të pandehurit V.M. i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet nga data 20 dhjetor 2025 deri më 19 janar 2026.
I dyshuari është arrestuar më 20 dhjetor 2025 në Leshak, në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Lajmin e kishte konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se arrestimi lidhet me rrëmbimin e Vukashinoviqit brenda territorit të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë.
Sveçla bëri të ditur se i arrestuari kishte qenë i integruar në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje.
Sipas dyshimeve, ai ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur vazhdimisht strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e kidnapimit të Vukashinoviqit, i cili gjatë rrëmbimit u plagos rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi.
Ministri në detyrë ka deklaruar se ekzistojnë dyshime se i dyshuari ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë serbe, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime ushtarake dhe ka pasur njohuri për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.
Pas urdhëresës së gjykatës, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, një laptop, tre dokumente, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.
Milan Vukashinoviq, shtetas i Kosovës me nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer më 1 nëntor 2025 në afërsi të Leposaviqit nga xhandarmëria serbe.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar anëtarë të familjes së tij lidhur me rastin.
Sveçla ka theksuar se ky rast dëshmon veprimet destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Beogradit, në mënyrë që të parandalohen raste të ngjashme dhe tensione të reja në rajon.






