Para se të nisë zyrtarisht Botërori i Formula 1, polemikat kanë shpërthyer sërish, duke rikthyer në vëmendje një praktikë të vjetër: kërkimin e “zonave gri” në rregullore.
Sipas një burimi të “Motorsport Magazin”, dy skuadra të mëdha dyshohet se kanë abuzuar me rregulloren e re teknike, duke shfrytëzuar në mënyrë të dyshimtë cilindrat e motorëve të rinj. Bëhet fjalë për Mercedesin dhe Red Bullin, e cila që nga sezoni 2026 do të prodhojë për herë të parë motorin e saj.
Raportohet se këto ekipe kanë zbuluar një sistem të veçantë, i cili u mundëson atyre të modifikojnë raportin e kompresionit të motorëve. Konkretisht, raporti i kompresionit qëndron brenda kufijve të lejuar kur “power unit”-i është i fikur, por rritet gjatë funksionimit të makinës në pistë. Kjo praktikë do t’u jepte atyre një avantazh të rëndësishëm, duke përfituar nga ndryshimi i rregullores që lejon kalimin e raportit të kompresionit nga 18:1 në 16:1.
Kjo “hile” e dyshuar është denoncuar nga skuadrat rivale Ferrari, Audi dhe Honda pranë FIA-s, të cilat kanë kërkuar hetim dhe ndërhyrje nga federata ndërkombëtare.
Sipas të njëjtit burim, informacioni mund të ketë rrjedhur nga një ish-punonjës i Mercedesit ose Red Bullit, i cili, pasi u transferua në një skuadër tjetër, ka identifikuar detaje të sistemit të dyshuar. Aktualisht, çështja është në duar të FIA-s, e cila ka nisur hetimet për të verifikuar nëse bëhet fjalë për shkelje të rregulloreve apo për një shfrytëzim të lejuar të “zonave gri”.
Vendimi i federatës pritet me shumë interes, pasi mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në balancat e Botërorit të Formula 1 për vitin 2026.






