Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar rritje të ndjeshme të pagave në sektorin publik në rast se fitojnë zgjedhjet më 28 dhjetor.
Përmes një video në Facebook në ditën e tretë të fushatës, Hamza ka thënë se është i vetëdijshëm për vështirësitë e qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës dhe shtrenjtimit të çmimeve.
Ai ka bërë të ditur se, nëse bëhet kryeministër, do t’i rrisë pagat për 50 për qind për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Sipas tij, kjo do të thotë se një punonjës që sot merr 800 euro, paga e tij do të arrijë 1,200 euro nën qeverisjen e tij.
Kandidati për kryeministër ka folur gjithashtu për partneritetin e qeverisë me sektorin privat. Ai ka vizituar të premten disa kompani në Ferizaj, duke i’u premtuar tatim sipas fitimit real për qarkullim deri në 30 mijë euro dhe grante deri në 30% për rritje, zhvillim dhe investime të reja.






