Në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, Alban Hoti, kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar njëherëshi kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës, ka shpalosur premtimet e tij kryesore.
Ai premtoi se nën drejtimin e tij, Kosova do të forcojë aleancën strategjike me SHBA-të dhe do të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Hoti u zotua se sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm dhe se nuk do të pranohet asnjë formë ndarjeje, shkëmbimi territoresh apo ndryshimi kufijsh.
“Në Kosovën që unë synoj të udhëheq, nuk do të ketë Mitrovicë të ndarë. Do të ketë vetëm një Mitrovicë, një ligj dhe një shtet,” tha Hoti.
E një nga premtimet kyçe të Alban Hotit është ndalimi i marrjes së shtëpive nga bankat për shkak të borxheve dhe hipotekave.
Në këto zgjedhje, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar hyn në garë me 44 kandidatë për deputetë, me numrin 113.






