Aventura e Thiago Silvës në Brazil ka marrë fund më herët nga sa ishte parashikuar. Mbrojtësi 41-vjeçar dhe Fluminense kanë vendosur të ndajnë rrugët me marrëveshje të përbashkët, gjashtë muaj para përfundimit të kontratës. Vendimi u zyrtarizua të martën pasdite në qendrën stërvitore të klubit në Rio de Janeiro.
Pavarësisht moshës, Thiago Silva nuk ka ndërmend të largohet nga futbolli. Objektivi i tij është një rikthim në Evropë, ku synon të luajë në një kampionat konkurrues dhe të mbajë gjallë shpresat për një ftesë të mundshme në përfaqësuesen e Brazilit për Kupën e Botës së ardhshme.
Në këtë kontekst, përmendet edhe emri i Milanit, klubi ku ai u afirmua si një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Megjithatë, një rikthim në “San Siro” shihet si i vështirë, për shkak të politikave aktuale të klubit.
Fluminense i ka dhënë lamtumirën kapitenit të saj me mesazhe mirënjohjeje, duke vlerësuar kontributin e madh të tij. Në dy periudha me fanellën trengjyrëshe, Thiago Silva zhvilloi 212 ndeshje, shënoi 19 gola dhe fitoi Kupën e Brazilit, duke lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit. /ATVLIVE.TV






