Kombëtarja e Kosovës në futsal ka regjistruar fitoren e parë në turneun që po zhvillohet në Çeki, duke mposhtur Kombëtaren e Letonisë me rezultat 7-4, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë gola.
Kosova e nisi mirë takimin dhe e kontrolloi lojën në pjesën e parë, e cila u mbyll me epërsi 3-1 në favor të Dardanëve, falë organizimit të mirë dhe efikasitetit në fazën sulmuese.
Edhe pjesa e dytë solli lojë dinamike dhe gola, me Kosovën që arriti ta ruajë epërsinë dhe ta menaxhojë rezultatin deri në fund të ndeshjes.
Sa i përket realizatorëve, Drilon Maxharraj ishte protagonisti kryesor i takimit me tre gola të shënuar.
Nga dy gola realizuan Drilon Haxhijaj dhe Shqiprim Imeri, ky i fundit në debutim me fanellën dardane.
Kjo fitore i jep motiv shtesë Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e radhës në turne, duke konfirmuar rritjen dhe potencialin e ekipit në skenën ndërkombëtare të futsallit. /ATVLIVE.TV






