Të paktën 104 civilë, mes tyre 43 fëmijë, janë vrarë nga sulme ajrore me dron në rajonin e Kordofanit në Sudan që prej datës 4 dhjetor, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, deklaroi se është thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës në këtë zonë. Ai theksoi se përplasjet e ashpra po zhvillohen mes Ushtrisë Sudaneze, Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe Lëvizjes për Çlirimin e Popullit të Sudanit-Veri.
Rajoni i Kordofanit përfshin tre rajone në Sudan qendror dhe jugor dhe është kthyer në një nga vatrat kryesore të konfliktit. Sipas OKB-së, sulmet me dron kanë goditur objekte civile, përfshirë spitale, një kopsht fëmijësh dhe edhe një bazë të Kombeve të Bashkuara.
Turk nuk specifikoi se cila palë mban përgjegjësi direkte për këto sulme. Përplasjet aktuale burojnë kryesisht nga mosmarrëveshjet mbi integrimin e RSF-së në ushtrinë kombëtare. Një tjetër pikë tensioni mbetet roli i forcave ushtarake në qeverisjen civile pas grushtit të shtetit të vitit 2021, raporton Reuters.
Luftimet janë përhapur në disa rajone të vendit, përfshirë Khartoumin, Darfurin, Kordofanin dhe Blue Nile. Të gjitha palët në konflikt po përdorin teknologji moderne ushtarake, si dronë dhe avionë të lehtë.
Kjo ka sjellë rritje të numrit të viktimave civile dhe shkatërrime të konsiderueshme humanitare.






