Mesfushori kosovar Lindon Emërllahu do të vazhdojë karrierën në Ukrainë, pasi ka arritur marrëveshje për t’iu bashkuar skuadrës Polissya Zhytomyr, duke i dhënë fund spekulimeve rreth së ardhmes së tij.
Transferimi është mbyllur mes palëve, ndërsa CFR Cluj do të arkëtojë 1.5 milionë euro nga shitja e lojtarit. Emërllahu, nga ana e tij, ka pranuar një kontratë me pagë mujore mbi 30 mijë euro.
Sipas raportimeve të mediave rumune, përfshirë DigiSport, në garë për shërbimet e mesfushorit ishte edhe Werder Bremen, por oferta e klubit gjerman nuk u konkretizua në kohën e duhur. Kjo bëri që Cluj të vendoste të finalizojë marrëveshjen me klubin ukrainas.
Në raportim thuhet se Emërllahu do të preferonte një kampionat më konkurrues, si Bundesliga, por pasiguria rreth mbylljes së transferimit me Werder Bremen dhe nevoja e Cluj për ta përfunduar shitjen e çuan drejt pranimit të ofertës nga Polissya.
Në këto rrethana, klubi rumun e bëri të qartë se nuk do të priste më gjatë, duke i dhënë përparësi ofertës më konkrete dhe të garantuar financiarisht.
“Emërllahu do ta preferonte një kampionat tjetër, më të fortë dhe sigurt, duke ditur se ka luftë në Ukrainë. Sidoqoftë, Nelutu Varga ia bëri të qartë se do ta humbiste vendin e titullarit te
Cluj dhe sidomos premtimin prej 100 mijë eurove bonus, duke e detyruar futbollistin ta pranojë propozimin dhe të paketojë valixhet”.
“Lojtari po hezitonte sepse e dinte interesimin e Werder Bremen nga Gjermania dhe kuptohet do të preferonte të bënte hapin e madh për Bundesliga. Sidoqoftë, gjermanët nuk ishin më konkret se ukrainasit dhe kishte rrezik se në fund nuk do të finalizohej transferimi. CFR nuk mund ta pranonte si opsion me situatën aktuale”, thuhet ndër të tjera në raportim.
23 vjeçari pritet të udhëtojë së shpejti drejt Ukrainës për testet mjekësore dhe më pas të nënshkruajë kontratën zyrtare me Polissya Zhytomyr, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij. /ATVLIVE.TV






