I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk u pa i buzëqeshur gjatë paraqitjes së tij të parë personale në gjykatë.
Tyler Robinson , i cili akuzohet për vrasje të rëndë pasi, sipas aktakuzës, vrau aktivistin konservator Charlie Kirk ndërsa ai po u drejtohej studentëve, dukej në humor shumë të mirë, shkruan britanikja The Telegraph .
Deri në këtë seancë dëgjimore, 22-vjeçari Robinson ishte paraqitur në gjykatë ekskluzivisht nëpërmjet videolidhjeve. Avokatët e tij kishin kërkuar ndalimin e filmimit në sallën e gjyqit, por gjykatësi Tony Graf lejoi që një pjesë e seancës të filmohej.
Robinson akuzohet se e qëlloi për vdekje Kirkun nga çatia e Universitetit të Luginës së Utahut më 10 shtator. Ai u arrestua dy ditë.
Babai, nëna dhe vëllai i Robinsonit ishin të pranishëm në seancën dëgjimore.
Për të mbrojtur prezumimin e pafajësisë, Robinsonit iu lejua të vishte rroba civile në vend të uniformës së burgut.
Robinson u buzëqeshi anëtarëve të familjes që ishin ulur në rreshtin e parë, ku nëna e tij shpërtheu në lot.
22-vjeçari është akuzuar për vrasje të rëndë, pengim të drejtësisë dhe dy akuza për manipulim të dëshmitarëve. Prokuroria ka njoftuar se do të kërkojë dënimin me vdekje.
Mediat kombëtare dhe lokale, të cilat e kanë ndjekur nga afër çështjen, e cila ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare për shkak të profilit publik të Kirkut, kundërshtuan kërkesën e mbrojtjes për të ndaluar kamerat në sallën e gjyqit.
E veja e Kirkut, Erika Kirk, bëri thirrje për transparencë të plotë, duke thënë: “Kemi të drejtë të kemi kamerat brenda”.
Charlie Kirk, baba i dy fëmijëve, ishte një nga aktivistët më të shquar konservatorë të gjeneratës së tij, i njohur për organizatën studentore Turning Point USA, dhe gjithashtu veproi si këshilltar joformal i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump ./Reporteri.net/






