Apple po zhvillon një “smart home hub”, që do të mbështetet fuqishëm në versionin më të avancuar të Siri-t që pritet vitin e ardhshëm.
Megjithëse informacionet për këtë pajisje kanë qarkulluar gjatë dy viteve të fundit, një rrjedhje e fundit e kodit të iOS 26 jep detaje të reja dhe konfirmon disa nga tiparet e përfolura.
Sipas Macworld, një version i brendshëm i iOS 26 përmend disa pajisje të reja të Apple, duke përfshirë “smart home hub”. Kodi tregon disa funksione të mundshme:
- Kamera – pajisja do të ketë një kamerë 1080p.
- Face ID – do të përdoret për të identifikuar personat që ndodhen në dhomë.
- Ndërrimi i profileve – përmes Face ID, “smart home hub” do të mund të kalojë automatikisht te profili i personit që po ndërvepron me pajisjen. Apple po teston saktësinë e këtij sistemi përmes një aplikacioni.
- Apple Intelligence dhe Siri i ri – pajisja do të mbështesë sistemin inteligjent të Apple dhe versionin e ri të Siri-t.
Disa thashetheme të tjera sugjerojnë se kjo teknologji do të jetë një kombinim i iPad-it dhe HomePod-it, me një ekran katror rreth shtatë inç dhe një bazë opsionale altoparlanti.
Produkti pritet të debutojë rreth kohës kur del versioni i ri i Siri-t në iOS 26.4, mundësisht në mars ose prill.
Apple thuhet se po punon edhe në një kamerë sigurie shtëpiake që do të bashkëpunojë me “smart home hub”, por ende nuk ka datë të caktuar për publikimin e saj.






