Një rast i kontrabandës me kafshë është zbuluar dje nga Policia e Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës.
Sipas Policisë së Kosovës, një person i dyshuar po kalonte kufirin në mënyrë të paautorizuar duke transportuar 21 krerë dele me një qerre.
Në raport thuhet se, në momentin kur patrulla policore e ka vërejtur, i dyshuari ka tentuar të largohet duke marrë rrugë malore, por kafshët janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejshme.
“Fsh. Dumnicë, Podujevë 09.12.2025 – 16:00. Është raportuar se një i dyshuar ishte duke kontrabanduar disa kafshë. Në momentin që i dyshuari ka parë policinë ka tentuar të ikë nëpër rrugë malore. Në qerre ishin 21 krerë kafshë (dele) të cilat janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Më tej thuhet se personi i përfshirë është paraqitur më pas në polici, ku pas inicimit të rastit është liruar me vendim të prokurorit. Procedura ndaj tij do të vazhdojë sipas procedurës së rregullt.






