Pas ndeshjes së tensionuar ndërmjet Gjilanit dhe Llapit, në Superligën e Kosovës kanë shpërthyer reagime të ashpra, ndërsa organet e drejtësisë kanë hapur hetime për një rast të dyshuar kanosjeje që përfshin persona të lidhur me ngjarjet e ditës.
Klubi i Llapit ka publikuar një reagim të fuqishëm pas humbjes ndaj Gjilanit, duke akuzuar gjyqtarin kryesor, Egzon Dakaj, për gjykim tendencioz dhe të njëanshëm. Sipas klubit, vendimi për t’i treguar karton të kuq kapitenit Axel Gnapi ishte plotësisht i pabazë, ndërsa vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë të FIFA-s, të cituara nga Llapi, e kanë konsideruar ndërhyrjen si të rregullt dhe jo përjashtuese.
Llapi pretendon se gjyqtari ka marrë vendimin me pesë minuta vonesë, gjë që sipas tyre e bën kartonin e kuq “të dyshimtë dhe të porositur”. Po ashtu, klubi kontestion edhe faullin që parapriu golin e dytë të Gjilanit, duke theksuar se ndërhyrja nuk ka qenë e parregullt.
Në njoftim, Llapi kujton se nuk është hera e parë që Dakaj del në qendër të akuzave në ndeshje të rëndësishme të klubit, teksa kërkon nga Komisioni i Gjyqtarëve dhe organet e FFK-së hapjen e procedurës disiplinore ndaj tij dhe analizimin e plotë të vendimeve.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka pranuar informacion zyrtar nga Policia e Kosovës për një rast të dyshuar kanosjeje mes personave me inicialet T.B. dhe E.D.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar Policinë të intervistojë palët dhe të mbledhë prova shtesë për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se organet kompetente janë duke punuar për “mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve relevante me qëllim zbardhjen e plotë të çështjes”.
Kjo ditë e trazuar për futbollin kosovar pritet të ketë vazhdim, si në aspektin sportiv me shqyrtimin e vendimeve të gjyqtarit Dakaj, ashtu edhe në aspektin juridik me hetimet për rastin e kanosjes.







