Të premten në Washington pritet të hidhet shorti për fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026,ku Kombëtarja e Kosovës në rast kualifikimi do të njoftohet me kundërshtarët e mundshëm.
Në ceremoninë e hedhjes kanë udhëtuar presidenti i FFK-së Agim Ademi dhe përzgjedhësi Franco Foda,dhe në një postim në rrjetin social Facebook kreu i FFK-së e konsideroi si një moment historik për futbollin e Kosovës.
“Në Washington D.C. ndodhemi për shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e shortit. Një moment historik për futbollin dhe për vendin tonë.
Jemi të vetëdijshëm se para nesh janë edhe dy sfida të vështira në “play-off” që ta bëjmë realitet ëndrrën e kualifikimit, por besimi dhe përkushtimi ynë janë të palëkundur.
Të bashkuar për sukses, me besim në Dardanët tanë!”ka shkruar Ademi në Facebook.
Kujtojmë që shorti për Kupën e Botës 2026 pritet të hidhet të premten me fillim nga ora 18:00.







