Pas qarkullimit të një videoje të vjetër nga koha kur ishte pjesë e Argjentinës U20, Lionel Messi ka folur hapur për rolin thelbësor që ka pasur familja në karrierën e tij, sidomos në momentet e vështira me kombëtaren dhe nën presionin e ashpër të opinionit publik në vendlindje.
Ylli argjentinas, i cili gjatë pjesës më të madhe të karrierës është përballur me kritika të padrejta në Argjentinë pavarësisht dominimit absolut te Barcelona, theksoi se mbështetja e familjes ka qenë gjithmonë forca e tij kryesore.
“Për mua, familja është gjithçka, gjëja më e rëndësishme. Ata kanë qenë gjithmonë pranë meje. Ka pasur momente shumë të vështira. Me kombëtaren kemi vuajtur shumë… dhe ata vuajnë më shumë se ne”, u shpreh Messi.
Ai kujtoi periudhat kur me Barcelonën fitonte gjithçka, ndërsa kur kthehej në Argjentinë përballej me kritika të ashpra:
“Njerëzit thoshin se nuk e ndjeja fanellën, se nuk duhet të luaja më. Familja ime ishte në Argjentinë dhe shikonte çdo emision sportiv… prindërit dhe vëllezërit e motrat e mia e kaluan shumë rëndë.”
Messi nënvizoi edhe rëndësinë e unitetit të familjes së bashkëshortes së tij, Antonelës:
“Kam pasur fatin ta kem gjithmonë familjen time dhe atë të Antonelës pranë. Më pëlqen t’i kem të gjithë afër, sepse në fund kjo është ajo që ka më shumë rëndësi.”
Deklaratat e Messit rikthejnë në vëmendje vitet kur superylli argjentinas, ndonëse po dominonte futbollin europian dhe po ndërtonte një trashëgimi unike te Barcelona, përballej rregullisht me dyshime dhe presion të jashtëzakonshëm nga publiku argjentinas.
Messi u formua te La Masia, u shndërrua në kapiten dhe legjendën më të madhe të Barcelonës në histori, duke vendosur rekorde të paarritshme në gola, asistime, paraqitje dhe trofe. Pas largimit nga katalanasit dhe një periudhe dyvjeçare te PSG, ai aktualisht është boshti i projektit të Inter Miami në MLS, ku vazhdon të mbetet figurë qendrore e futbollit botëror.







