Gazetari investigativ kroat, Domagoj Margetiq, ka publikuar dëshmi të reja që lidhin presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilat thotë se vërtetohet se presidenti serb ishte pjesë e tmerrit që ndodhi gjatë rrethimit të Sarajevës, që tashmë njihet si ‘safari njerëzor’.
Sipas tij, deklaratat që Vuçiq kishte dhënë në vitet 1994–1997, së bashku me dokumente dhe dëshmi të reja, e vendosin atë pranë zonave ku raportohet se ka ndodhur “Sarajevo Safari”.
“Pas kthimit nga Sarajeva nga vijat e frontit, nga viti 1994 e deri më 1997, Aleksandar Vuçiq ka dhënë një numër të madh deklaratash për luftën e tij dhe pjesëmarrjen në rrethimin e Sarajevës”, thotë gazetari.
Këto deklarata sipas Margetiqit, më së shpeshti janë ribotuar dhe transmetuar në magazinën zyrtare të radikalëve të Sheshelit, “Serbia e Madhe”.
“Me një deklarastë tqë Vuciq e dha në vitin 1994, ai në thelb e konfirmon se ka qenë vullnetar ushtarak në Sarajevë. Se ka marrë pjesë në luftime. Se është luftuar si vullnetar në Grbavicë dhe në Varrezën Hebraike. Se që ka qenë pjesëtar i armatosur i njësisë së Aleksiqit pikërisht në pozicionet, në mikrolokacionin ku janë organizuar dhe kryer “safari njerëzor” dhe se në bazë të të gjitha këtyre, është e qartë që ai ka qëlluar mbi civilë dhe se është e qartë që ka qenë i lidhur me safari njerëzore”, shkruan gazetari kroat.
Sipas Margetiqit, kjo e vendos Vuçiqin në të njëjtat lokacione ku, sipas raportimeve të ndryshme ndërkombëtare, janë zhvilluar aktet e “gjuetisë ndaj civilëve”.
“Së bashku me të gjitha deklaratat e deritanishme të vetë Vuçiqit, kjo është edhe një tjetër në vargun e deklaratave të Aleksandar Vuçiqit, e cila e vendos atë në kohën dhe vendin e safari-ve njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës”, thotë ai.
Margetiq, edhe para pak ditësh në një intervistë për Balkan Talks në Euroneës Albania, ka folur mbi shkrimin e tij të fundit investigativ që e lidh presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me një grup snajperistësh gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Margetiq ka bërë të ditur se hetimi i tij përfshin dëshmi dhe dokumente që tregojnë përfshirjen e Vuçiqit në një njësi paraushtarake serbe, e cila vepronte pranë Sarajevës.
Sipas tij, kjo njësi paraushtarake udhëhiqej nga Mirko Blagojeviq dhe kishte leje të veçanta kalimi nga institucionet serbe të kohës.
Ai tha se Vuçiq shoqëronte të ashtuquajturit “klientë” dhe mbante një mjet identifikimi të shërbimeve sekrete serbe.
“Në afërsi të Sarajevës, ata udhëhiqeshin nga njerëz të një njësie paraushtarake. Ajo që zbulova është se Vuçiq ishte një nga ata që shoqëronte ‘klientët’ dhe mbante identifikim të shërbimeve sekrete serbe. Mirko Blagojeviq ka thënë se Vuçiq ishte ai që mundësonte lëvizjen e tyre”, tha Margetiq.
Ai po ashtu bëri të ditur se informacionet e mbledhura vijnë nga ish-pjesëtarë të forcave paraushtarake serbe dhe nga ushtarë që kanë marrë pjesë në atë periudhë.
“Kjo ‘safari’ drejtohej nga Sllavko Aleksiq dhe Vuçiq ishte pjesë e njësisë”, tha ai, duke theksuar se në raportin e tij nuk ka fajësuar qytetarët serbë, por individët e përfshirë në aktivitetet e paligjshme.
Deklaratat e Margetiqit kanë shkaktuar reagime të shumta në rajon, duke rikthyer vëmendjen te aktivitetet paraushtarake gjatë rrethimit të Sarajevës dhe rolin e zyrtarëve të sotëm në ngjarjet e luftës







