Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit në Shqipëri kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të një shume të konsiderueshme parash, gjatë kontrolleve të rregullta në pikën e kalimit kufitar.
Sipas njoftimit, gjatë një kontrolli të thelluar në vijën e dytë, te shtetasi G. S., 36 vjeç, banues në Krujë, u gjetën 240 000 euro që ai tentonte t’i futë në Republikën e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.
Materialet e mbledhura u referuan Prokurorisë së Tiranës, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 36-vjeçarit.
“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me pajisje bashkëkohore, detektuese, analizës së riskut, intervistimit të thelluar, verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të shumave të konsiderueshme të parave. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 36 vjeç, banues në Krujë, të cilit gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 240 000 euro që synonte t’i fuste në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar konform ligjit”, njofton Policia e Shtetit.
Policia Kufitare njofton se përdorimi i pajisjeve moderne, analiza e riskut, intervistimet e thelluara dhe verifikimet e dokumenteve të udhëtimit janë pjesë e strategjisë për parandalimin dhe zbulimin e paligjshmërisë në kufi. /Telegrafi/







