Barcelona ka marrë një lajm pozitiv gjatë ditës së sotme, pasi dy lojtarë kryesorë janë rikthyer në stërvitje, duke i dhënë një shtysë të madhe trajnerit Hansi Flick.
Sipas gazetës Sport, Fermin Lopez dhe Frenkie de Jong janë rikuperuar dhe kanë nisur të punojnë me skuadrën. Fermin, i cili mungoi për shkak të një dëmtimi në pulpë të këmbës pas ndeshjes ndaj Athletic Bilbaos dhe problemeve të mëparshme në Stamford Bridge, është rikuperuar më shpejt se sa pritej. Ai mori pjesë në një pjesë të seancës stërvitore dhe mund të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Real Betis në Sevilja, megjithëse rikthimi i tij i plotë pritet për sfidën e së martës në Ligën e Kampionëve ndaj Eintracht Frankfurt.
Ndërkohë, Frenkie de Jong është rikthyer pas mungesave në tri ndeshje, fillimisht për shkak të pezullimit dhe më pas për shkak të një temperature. Ai arriti herët në qendrën stërvitore dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidën e së shtunës në La Cartuja, ku me shumë gjasë do të konsiderohet për formacionin titullar nga Flick.
Ky rikthim i lojtarëve kryesorë vjen në momentin e duhur për Barcelonën, ndërsa ekipi përgatitet për një seri ndeshjesh të rëndësishme në kampionat dhe në Europë.







