Sergio Ramos, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të historisë së futbollit modern, është vetëm një hap larg largimit nga Monterrey dhe synon që në janar të rikthehet në skenën europiane.
39-vjeçari ka njoftuar klubin meksikan për vendimin e tij, ndërsa sipas Fabrizio Romano, Ramos është i hapur të nënshkruajë një kontratë 6-mujore me një klub elitar të Europës për “dritaren e fundit” të karrierës së tij.
Sipas Calciomercato, disa skuadra të Serie A po monitorojnë situatën, dhe Juventusi shihet si një opsion konkret. Bardhezinjtë e kishin konsideruar transferimin e Ramosit edhe sezonin e kaluar pas dëmtimit të Bremer, dhe megjithëse mbrojtja aktualisht është më stabile, përvoja e madhe e spanjollit mund të ishte një vlerë e shtuar për ekipin e Luciano Spallettit.
Megjithatë, me ndryshimet e fundit në drejtimin sportiv dhe qasjen më të rreptë të rekrutimit të vendosur nga Damien Comolli, mbetet e paqartë nëse Juventusi do të hapë dyert për ish-kapitenin e Real Madridit.
Ajo që dihet sigurt është se Ramos dëshiron një sfidë të fundit europiane, dhe muaji janar mund të jetë momenti i rikthimit të tij në futbollin e madh.







