Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se zbatimi i ligjit dhe barazia para ligjit janë prioritetet e tij të panegociueshme. Këtë deklarim e bëri pas shembjes së terrasës së restorantit “Peshkopia” në qendër të Drenasit, si pjesë e një aksioni për lirimin e pronës publike.
Në një deklaratë në rrjete sociale, Lladrovci thotë se prona e uzurpuar nga ky subjekt ekonomik, edhe pse pas shumë vonesave, pasi Gjykata e tha fjalën e saj, është duke u liruar.
Ai thekson se lidhur me vonesat në realizimin e projektit dhe dëmet financiare që i janë shkaktuar komunës së Drenasit, do të zhvillojnë procedura tjera ligjore.
“Kjo pronë me vite është shfrytëzuar paligjshëm nga ky subjekt ekonomik, andaj, lirimi i pronës së uzurpuar ishte detyrim ligjor në mbrojtje të interesit publik. Zbatimi i ligjit, barazia para ligjit, ruajtja e pronës dhe interesit publik janë prioritetet e mia të panegociueshme”, shkruan ai.
Prona e liruar përdorej si hapësirë e restorantit që është pronë e familjes së asamblistit të dytë më të votuar të PDK-së në Drenas, Arigon Sinanit.
Restoranti, i cili ndodhet në qendër të qytetit të Drenasit, ishte kthyer në subjekt diskutimi gjatë fushatës zgjedhore lokale të këtij viti.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci paralajmëroi gjatë fushatës rrënimin e terrasës së restorantit me arsyetimin se ajo ishte vendosur në hapësirën publike komunale.
Arigon Sinani, familja e të cilit zotëron restorantin “Peshkopia”, është asamblist i Kuvendit Komunal të Drenasit nga radhët e PDK-së.
Në zgjedhjet e fundit, Sinani u rreshtua krah Petrit Hajdarit, rivalit politik të Lladrovcit.
Përplasja mes tyre ndërlidhet me një audio-incizim inkriminues të Lladrovcit, të publikuar gjatë fushatës elektorale, në të cilin kryetari aktual i Drenasit diskuton me një biznesmen për një projekt ndërtimi në një pronë komunale.
Lladrovci, e akuzoi Sinanin për incizimin e bisedës inkriminuese të tij.







