Studimi i ri tregon se një pije e thjeshtë ul në mënyrë dramatike pasojat që stresi dhe ushqimet e yndyrshme i shkaktojnë zemrës dhe trurit
Nëse konsumoni ushqime të yndyrshme gjatë periudhave stresuese, pirja e kakaos mund t’ju ndihmojë të rikuperoheni më shpejt nga stresi, sugjeron një studim i ri.
Studiuesit nga Universiteti i Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar gjetën se edhe pse njerëzit shpesh zgjedhin ushqime me shumë yndyrë gjatë stresit, pirja e një pijeje me kakao mund të përmirësojë rikuperimin nga efektet fiziologjike të stresit.
Studimi, i publikuar në revistën Food & Function, tregon se konsumi i ushqimeve të yndyrshme dëmton funksionin vaskular dhe ul oksigjenimin kortikal gjatë stresit duke penguar më pas rikuperimin. Flavanoli epikatehin në kakao relakson qelizat endoteliale të enëve të gjakut, përmirëson funksionimin e tyre dhe ul presionin e lartë të gjakut, një reagim i zakonshëm ndaj stresit, shkruan Medical News Today, përcjell Telegrafi.
Konsumi i kakaos lidhet me një përgjigje më të mirë ndaj stresit
Në studim morën pjesë 23 të rritur të rinj, të shëndetshëm. Secili prej tyre konsumoi një vakt me shumë yndyrë dhe më pas një pije kakao me përmbajtje të lartë ose të ulët epikatehini, një orë e gjysmë para një testi stresi që zgjati tetë minuta. Funksioni i tyre vaskular u mat duke analizuar zgjerimin e arterieve të krahut si përgjigje ndaj rritjes së qarkullimit të gjakut – në fillim të studimit, pastaj pas 30 dhe 90 minutash nga testi i stresit.
Tek grupi që mori kakao me shumë epikatehin, aftësia e enëve për t’u zgjeruar ishte më e ulët pas 30 minutash, por u përmirësua ndjeshëm pas 90 minutash duke treguar rikuperim më të shpejtë nga efektet e stresit. U matën edhe faktorë të tjerë, si oksigjenimi kortikal, qarkullimi i gjakut në parakrah, presioni i gjakut, aktiviteti kardiovaskular dhe gjendja emocionale, por nuk u gjetën ndryshime mes të dy grupeve.
Pse ushqimi i yndyrshëm e përkeqëson stresin?
Megjithëse ushqimet e yndyrshme mund të duken ngushëlluese, studimet tregojnë qartë se ato ngadalësojnë rikuperimin nga stresi, sidomos te personat me punë shumë stresuese. “Puna shumë stresuese rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare deri në 40% krahasuar me ata që nuk kanë këta stresorë”, shpjegon autorja e studimit, dr. Katarina Rendeiro. Arsyeja kryesore lidhet me dëmtimin e vazhdueshëm të funksionit vaskular.
Dr. Cheng-Han Chen, kardiolog ndërhyrës në Kaliforni, thekson se stresi kronik shkakton rritje të vazhdueshme të hormoneve të stresit, inflamacionit dhe presionit të gjakut duke rritur rrezikun për hipertension, infarkt apo goditje cerebrale. Mbështetësit e studimit vërejnë se edhe një ulje e vogël e funksionit vaskular mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës.
Si e neutralizon kakaoja efektin e ushqimit të yndyrshëm?
Dr. Rendeiro shpjegon se ende nuk dihet saktësisht pse yndyra vonon rikuperimin vaskular pas stresit, por dihet se ngritja e triglicerideve dhe proteinës C-reaktive ul prodhimin e oksidit nitrik, një molekulë thelbësore për zgjerimin e enëve të gjakut. Epikatehini në kakao rrit pikërisht këtë molekulë, duke përmirësuar funksionin vaskular.
Flavanolët e kakos janë antioksidantë dhe anti-inflamatorë të fuqishëm. Të njëjtin efekt e kanë edhe çaji jeshil, korja e mollës, manaferrat, rrushi. Këto ushqime ndihmojnë në rritjen e oksidit nitrik dhe zvogëlojnë stresin oksidativ.
Kakao, çaji jeshil dhe frutat e pyllit – aleatë kundër stresit
Edhe pse kakaoja nuk përmirësoi oksigjenimin cerebral gjatë stresit, ajo mbetet e dobishme për rikuperim vaskular. Dr. Chen vëren se ndryshimet në qarkullimin cerebral gjatë stresit mund të ndikojnë në përqendrim, kujtesë dhe disponim.
Këshilla finale e studiuesve: Nëse nuk arrini t’i shmangni ushqimet e yndyrshme gjatë stresit, shtoni një burim të pasur me flavanola për të minimizuar dëmet.
Studimi rekomandon:
5.5 lugë kakao të papërpunuar
ose 2 filxhanë çaj jeshil
ose 300 g manaferra
…për të arritur sasinë e flavanoleve që solli efektet pozitive. /Telegrafi/







