Të paktën 708 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës në ishullin Sumatra të Indonezisë. Kështu njoftoi të martën Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive. Autoritetet po përpiqen me shpejtësi të riparojnë infrastrukturën dhe të shpërndajnë ndihma për zonat e izoluara.
Agjencia tha se ky numër është pak më i ulët se shifra e publikuar më parë, 753 të vdekur. Së fundmi, pothuajse 900 vdekje janë raportuar në mbarë Indonezinë, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës, pas muajve të motit ekstrem në Azinë Juglindore, përfshirë edhe tajfunët e njëpasnjëshëm në Filipine dhe Vietnam.
Ekspertët dhe zyrtarët kanë përmendur shpyllëzimin në Sumatra, si një faktor që ka përkeqësuar ndikimin e këtyre katastrofave.
Ekipet e shpëtimit dhe ndihmës po punojnë në tokë, det dhe ajër për të hapur rrugët e bllokuara, shpërndarë ndihma dhe riparuar infrastrukturën e dëmtuar.
“Shpresojmë të përshpejtojmë shpërndarjen e logjistikës dhe ndihmave”, tha zëdhënësi i agjencisë, Abdul Muhari. Autoritetet bëjnë thirrje për solidaritet dhe ndihma ndërkombëtare për të përballuar situatën emergjente.







