Mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në Evropë, zyrtarë të lartë gjermanë treguan armën e re super-mbrojtëse të vendit të tyre: sistemin izraelit Arrow-3.
Mediat në Gjermani shkruajnë se bëhet fjalë për sistemin më modern të mbrojtjes ajrore të Bundeswehr-it që tani është i stacionuar në Holzdorf. Të mërkurën, Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer dhe Inspektori i Forcave Ajrore Holger Neumann do të japin zyrtarisht miratimin për vendosjen e sistemit.
Një kontingjent fillestar është vendosur atje: raketat, sistemet e radarit dhe teknologjia e kontrollit janë gati. Por do të pasojnë më shumë module. Kjo nënkupton se për herë të parë, Gjermania mund të shkatërrojë raketat armike jashtë atmosferës përpara se ato të arrijnë në territorin e saj.
Në këtë drejtim, bëhet e ditur se Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) po investojnë afërsisht 4 miliardë euro nga fondi i tyre i posaçëm në sistemin e mbrojtjes. Eksperti i mbrojtjes i SPD-së, Falko Drobmann, ka përshëndetur këtë lëvizje. Sipas tij, “me blerjen e sistemit Arrow, Bundeswehr fiton aftësinë për të paralajmëruar popullsinë tonë herët dhe për të kapur raketat me rreze të gjatë veprimi që vijnë”. Shitja prej gati 4 miliardë eurosh (4.6 miliardë dollarë) e Arrow 3 Gjermanisë, e konsideruar marrëveshja më e madhe e eksportit të mbrojtjes në historinë e Izraelit, u nënshkrua në shtator 2023.
Sistemi Arrow 3 është projektuar për të shkatërruar raketat balistike ndërsa ato janë ende jashtë atmosferës. Ai thuhet se ka rrëzuar qindra raketa balistike të lëshuara drejt Izraelit nga Irani dhe grupi Houthi i mbështetur nga Irani në Jemen gjatë luftës aktuale.







