Tre shqiptarë janë aksidentuar rëndë gjatë tentativës për t’i ikur policisë gjermane në Olsberg.
Aksidenti ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme kur makina e tre shqiptarëve duke ikur nga policia, u përplas me një dyqan me fustane nusërie duke shkaktuar dëmtime të mëdha dhe plagosje të rënda.
Shqiptari që ndodhej në sediljen e pasagjerit të përparmë është në gjendje kritike me shtyllën dhe shpatullat e thyera, ndërkohë që edhe dy shqiptarët e tjerë janë në gjendje të rëndë.
Sipas policisë, një patrullë gjatë monitorimit të trafikut vuri re makinën, e cila përshpejtoi menjëherë sapo pa uniformat e policisë. Oficerët e ndoqën makinën, por e humbën nga sytë për shkak të shpejtësisë së lartë. Aksidenti ndodhi rreth një kilometër e gjysmë larg vendit ku makina u vërejt nga policia.
Siç raporton JOQ, automjeti ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë së tepërt gjatë një kthese majtas dhe më pas është përplasur me vitrinën e një dyqani veshjesh nusërie, duke përfunduar në murin pas tij dhe duke rënë mbi çatinë e dyqanit. Zjarrfikësit raportuan se dy nga burrat u nxorën nga rrënojat, ndërsa i treti ishte shtrirë pranë makinës. Aksidenti ka lënë një fushë të gjerë me mbeturina, ndërsa dyqani dhe muri kanë pësuar dëme të konsiderueshme.
Policia njoftoi se për një nga pasagjerët ekziston një urdhër arresti në fuqi për krime kundër pronës. Dy pasagjerët e tjerë dyshohet se kishin konsumuar alkool. Meqenëse nuk është e qartë kush po drejtonte automjetin, janë marrë mostra gjaku nga të dy. Arsyeja e saktë e arratisjes mbetet nën hetim.







