Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përgjatë mandatit të tij qeverisës numri i bizneseve të regjistruara është ngritur këtë vit dhe se kjo është rritja më e lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes së VV-së.
“Përgjatë këtij mandati, numri i bizneseve të reja të regjistruara është ngritur vit pas viti dhe ka qenë më i lartë se në çdo vit tjetër para qeverisjes sonë. Shtim biznesesh në ekonomi që rritet”, shkruan Kurti, teksa shpërndan shkrimin e ministrit në detyrë të Financave Hekuran Murati.
Murati shkroi ditë më parë se numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë.
“Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë, deri në fund të muajit tetor, ende pa mbaruar viti. Sipas trendit aktual, deri në fund të vitit kjo shifër pritet të tejkalojë mbi 13 mijë biznese, që do të ishte rekord i të gjitha kohërave. Ky është tregues i shëndetit të mirë të ekonomisë, e cila po rritet vazhdimisht”, ka shkruar Murati.







