Shenjat e hershme që prindërit shpesh i neglizhojnë, por që mund të tregojnë autizëm
Autizmi është një diagnozë që po prek gjithnjë e më shumë fëmijë, pra rreth një në 100 në mbarë botën. Disa shenja mund të shfaqen që shumë herët dhe lidhen me sjelljen e fëmijës dhe mënyrën e lojës
Të dhënat e publikuara në vitin 2023 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se një në njëqind fëmijë në botë lind me autizëm. Meqenëse kjo diagnozë po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, është e rëndësishme që prindërit të dinë cilat simptoma mund të jenë treguese të autizmit, në mënyrë që t’i vërejnë sa më herët.
Cilat sjellje dhe shenja mund të jenë “sinjal alarmi” dhe të tregojnë për mundësinë e autizmit tek fëmijët?
1.Fëmija nuk reagon në thirrjen e emrit ose e bën këtë rrallë, edhe pse dëgjimi i tij është normal.
Kjo ndodh për shkak se fëmija nuk e lidh thirrjen me komunikimin social. Ky është një nga treguesit më të hershëm të mundshëm.
2.Nuk i përdor gjestet e tregimit në komunikim, pra nuk tregon me gisht drejt objekteve që dëshiron ose gjërave që do t’ua tregojë prindërve.
Mungesa e gjesteve është një nga kriteret e rëndësishme në vlerësimin e zhvillimit social.
3.Nuk e shikon të rriturin në sy kur i drejtohet, sikur të mos i flitet fare.
Vështirësia në kontaktin me sy lidhet me përpunimin social të informacionit.
4.Nuk kërkon prindin nëse ai del papritur nga fusha e shikimit.
Shpesh fëmija me autizëm nuk e kërkon sigurinë emocionale përmes vështrimit apo ndjekjes vizuale të prindit.
5.Luajnë me lodra në mënyra “të pazakonta”: i afrojnë shumë afër syve, rrotullojnë rrotat e makinave për një kohë të gjatë, i rreshtojnë lodrat sipas një rendi të caktuar dhe nuk lejojnë që dikush të ndërhyjë në lojën e tyre.
Këto janë forma të lojës stereotipe ose rituale që mund të tregojnë vështirësi në lojën funksionale dhe imagjinare.
6.Fëmija nuk flet dhe e ka të vështirë të kuptojë të folurin.
Këtë mund ta testoni duke i kërkuar një detyrë të thjeshtë, si të sjellë një libër apo të tregojë një lodër. Vështirësia në të kuptuarit mund të jetë më e hershme sesa vështirësia në të folur.
7.Fillon të shqiptojë disa fjalë, por me kohën sikur i “humb” ose pushon së përdoruri.
Humbja e aftësive të fituara më herët është gjithmonë një shenjë që kërkon vlerësim profesional të menjëhershëm.
8.Këmbëngul që gjithçka të jetë e parashikueshme dhe e pandryshuar: ecën në të njëjtat rrugë, ha vetëm ushqime të caktuara, vesh të njëjtat rroba. Nëse diçka ndryshon, shqetësohet shumë.
Dëshira për rutina të rrepta është pjesë e sjelljeve stereotipe dhe e nevojës për rend dhe parashikueshmëri.
Fëmijët në një moshë të caktuar mund të kalojnë faza kur u pëlqen përsëritja, por në disa raste kjo mund të jetë shenjë e autizmit. Në çdo rast, nëse vëreni cilindo nga këta simptoma, dijeni se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se fëmija ka autizëm, por është më mirë të konsultoheni me specialistë për një vlerësim të plotë, transmeton Telegrafi.
Këshilla të dobishme shtesë për prindërit
Diagnoza e hershme ndihmon shumë.Terapitë e zhvillimit, ndërhyrjet logopedike dhe terapia e sjelljes janë shumë më efektive kur fillojnë para moshës 3 vjeç.
- Mos prisni që “të flasë vetë” ose “të rritet e t’i kalojë vetë”. Humbja e kohës është pengesa më e madhe për progresin e fëmijës.
- Vëzhgoni, shënoni dhe filmoni sjelljet e dyshimta. Kjo u ndihmon shumë profesionistëve gjatë vlerësimit.
- Kërkoni mendimin e dy profesionistëve, nëse është e nevojshme. Autizmi është spektral dhe vlerësimi kërkon ekspertizë.
- Kujdesi, qetësia dhe përkrahja emocionale janë po aq të rëndësishme sa terapitë.
/Telegrafi/







