Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ishte i pranishëm mbrëmë në Gala-n e futbollit italian, ku u përfshi në Formacionin e Vitit, një vlerësim që pasqyron paraqitjet e tij të jashtëzakonshme sezonin e kaluar me Napolin, ku u shpall kampion i Italisë si një nga protagonistët kryesorë të skuadrës.
Rrahmani ka vazhduar formën e shkëlqyer edhe këtë sezon: në tetë ndeshjet ku ka qenë titullar nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte, Napoli ka pësuar vetëm tre gola me të në fushë, duke treguar rëndësinë e tij në linjën mbrojtëse.
Formacioni i Vitit të Serie A përfshiu emra të njohur si Scott McTominay, Lautaro Martinez dhe Tijjani Reijnders. Nga skuadrat e Napolit dhe Interit u përzgjodhën: Denzel Dumfries, Amir Rrahmani, Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, Scott McTominay, Nicolo Barella dhe Lautaro Martinez.
Rrahmani mori pjesë në këtë mbrëmje të veçantë i shoqëruar nga partnerja e tij, Drita Stublla. Çifti u shfaq elegant në veshje të zeza, duke tërhequr vëmendjen e mediave të pranishme dhe duke shtuar një element glamour në këtë ngjarje prestigjioze.
Ky vlerësim shënon një tjetër moment krenarie për mbrojtësin kosovar, i cili vazhdon të jetë një nga lojtarët më të respektuar dhe të vlerësuar në Serie A, duke afirmuar vendin e tij si një nga mbrojtësit kryesorë të kampionatit italian. /ATVLIVE.TV








