Një nga marrëdhëniet më të komentuar në skenën muzikore shqiptare është padyshim ajo mes Nora Istrefit dhe ish-bashkëshortit të saj, Robert Berisha. Edhe pse secili ka vijuar jetën e tij pas ndarjes, dyshja vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes sa herë që shfaqen bashkë në publik dhe kësaj here, një gjest i thjeshtë, por domethënës, e riktheu diskutimin mbi dinamikën e tyre.
Gjatë një mbrëmjeje televizive ku e shkuara dhe e tashmja u përplasën në një mënyrë krejt të natyrshme, Nora Istrefi ishte e ftuara e radhës në emisionin e Robert Berishës. Takimi i tyre, i qetë dhe pa të papritura, u shndërrua shpejt në një atmosferë emocionale falë sinqeritetit dhe humorit që i karakterizon të dy.
Nora foli për sfidat personale që nga mosha 22-vjeçare, periudhë kur karriera e saj sapo po ngjitej, ndërsa paralelisht po përballej me fejesën, martesën dhe më pas mëmësinë. Ajo tregoi se shpesh ishte e pasigurt nëse do të mund të rikthehej në të njëjtin ritëm pune, por pranoi se pavarësisht presioneve, çdo vendim e ka çuar aty ku është sot.
Roberti ndërhyri me humor karakteristik, duke e pyetur me të qeshur: “A ke qenë e martume Nora se nuk e paskan dit?”, duke shkaktuar një moment të lehtë të cilin Nora e ktheu po me humor.
Por momenti që i befasoi të gjithë erdhi kur ai nxori një kuti të vogël me bizhuteri dhe i dhuroi Norës një unazë diamanti që, siç tregoi, e kishte blerë në Shtetet e Bashkuara. Dhurata nuk ishte romantike ishte një premtim për vajzën e tyre, Renee-n.
“Këtë unazë e mban ti deri sa Renee t’i bëjë 18 vjet”, i tha ai, duke e shndërruar objektin në një kujtim familjar që sipas tij duhet të udhëtojë me kohën derisa vajza të rritet.
Nora, e surprizuar, reagoi me falënderim dhe humor: “Paska me u gëzu Renee për këto unaza shumë të bukura, edhe unë po ja përdori pak deri sa të rritet.”
Roberti shtoi se unaza kushtonte rreth 10 mijë dollarë, detaj që e ndau po me humor për të zbutur intensitetin e momentit.







