Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dhuna në veri të vendit ka ndodhur me urdhër të Beogradit. Në fjalimin e tij të gjatë para delegatëve të VV-së në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Kurti fokusin kryesor në fund të fjalimit e ka pasur për situatën në veri. Atje ka thënë se Kosova është në bashkërendim me ndërkombëtarët, për të siguruar rend dhe ligj.
Kurti ka deklaruar se ditët e fundit kanë qenë të qeta në veri, pasi nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beogradi, raporton Nacionale.
“Ne edhe një herë kërkojmë që këto të drejta të shfrytëzohen dhe për çfarëdo kërkese nevoje e përsëris se nuk jam kryeministër i vetëm shqiptarëve. Në ditët pas të hënës së 29 majit kemi pasur ditë të qeta, nuk mund të thuhet paqësore, por të qeta. Për këto dy javë, kishim 2 ditë e gjysmë dhunë, por ditët e tjera janë ditë të qeta. Ditë të qeta në veri janë ato ditë kur nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi. Nuk ka dhunë pa urdhër për dhunë. Kjo tregon raportin shkak-pasojë të gjendjes ku jemi. Më tej të gjithë ishim dëshmitar se si te trazirat në Zveçan, protestuesit ishin si milic e paramilitarë ndërsa policët dhe ushtarët ishin qytetarë. Por, asnjë gabim nga ana e organeve të sigurisë. Milic të dhunshëm si protestues qytetarë paqësorë si policë e si ushtarë. E paparë”, tha Kurti para delegatëve të VV-së.
Ai përmendi edhe tërheqjen nga gara për zgjedhjet lokale në veri të Aleksandar Jabllanoviqit. Kurti tha se ai u tërhoq dhe iu bashkua Vuçiqit. Kurti e pranoi se nuk e ka menduar asnjëherë që Lulzim Hetemi mund të bëhet kryetar i Leposaviqit.
“Tash në veri të Kosovës ka shumë më tepër policë se që ka pasur përpara. Jo vetëm kaq. Zgjedhjet u mbajtën, sepse ata që i braktisën institucionet i bojkotuan zgjedhjet, dhe madje i kërënuan ata që donin të merrnin pjesë në to. Askujt nga ne nuk ia mori mendja që Lulzim Hetemi do të bëhet kryetar i Leposaviqit. Mund të kemi menduar për të tjerët por jo për Lulzim Hetemin. Vetëm me datën 21 prill u bë e qartë se atje nuk do ta kemi fituesin e sigurt Jabllanoviqin. Vetëm dy ditë përpara, ai u largua nga zgjedhjet dhe iu bashkua Vuçiqit e Listës Serbe”, tha Kurti.
E kur foli për Hetemin, Kurti tregoi se ka pasur një bisedë në telefon me të dhe tregoi duke qeshur për çka ishte i shqetësuar.
“Këta kryetarë kanë marrë pak vota, por ata të tjerët kanë marrë aspak vota. Zgjedhjet duhet të jenë të lira demokratike me fushatë fer e të hapur e pa banda kriminale. Unë e thirra në telefon e bisedova me kryetarin Lulzim Hetemin dhe ndodhi diçka interesante, se për të thënë të drejtën kur e thirra kisha një shqetësim mos u mërzit në zyrë u bënë shumë javë. Por unë teksa isha i brengosur mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë isha i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshoi pe unë. Biseda në vazhdim ishte përveç se e përzemërt e këndshme”, tha kryeministri.
Kurti foli edhe për Policinë e Kosovës, duke thënë se ata nuk e kanë bërë as edhe një gabim në krejt situatën e cila ngjau në pjesën veriore.
“Arsyeja pse në këto protesta del një numër i vogël i serbëve në tri komunat veriore nuk është se ata nuk duan të identifikohen me milic protestues, ata poashtu, komunitet serb e ka par një polici të Kosovë tejet profesionale e cila nuk e zemëron askënd. Në situata të tilla shumë kollaj ndodhin gabime të policisë, mirëpo as me 26, as me 29 maj as me 30 maj dhe asnjë ditë më pas, as sot, asnjë gabim i asnjë polici”, tha ai.
Kryeministri nuk përmendi sanksionet e as konkretisht për raportet ndërkombëtare, vetëm se deklaroi që Kosova qëndron në partneritet me Amerikën e BE-në.
“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së, politikës anti-Putin vlerave demokratike për të ardhme pa luftë. Qeveria jonë është aleat i pakompromis edhe i Amerikës edhe i BE-së. Rruga përpara për deeskalim dhe normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale ndaj Policisë, ushtarëve të NATO-s e gazetarëve. Në përputhje me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e Policisë së Kosovës do të mund të zvogëlohej. Dialogu për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të 18 marsit në Ohër, duhet të intensifikohet”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se objektet e komunave në veri nuk duhet të jenë vetëm për një etni. Kërkresa e tij ishte e qartë: zgjedhje të reja atje vetëm pas qetësimit të situatës, dhe largimit të bandave kriminale.
Paraprakisht, Kurti prezantoi të arriturat e qeverisë që drejton që nga marrja e mandatit.