Numri i të vdekurve nga përmbytjet në të gjithë Azinë Juglindore u rrit në të paktën 161, ndërsa autoritetet në rajon u përpjekën të shpëtonin njerëzit e bllokuar, të rivendosnin energjinë elektrike dhe telekomunikacionin dhe të koordinonin përpjekjet e shpëtimit.
Pjesë të mëdha të Indonezisë, Malajzisë dhe Tajlandës janë goditur nga një javë me shira të rrëmbyeshëm dhe një stuhi të rrallë tropikale që është formuar në Ngushticën Malaje.
46 persona të tjerë kanë vdekur si pasojë e ciklonit në Sri Lanka, thanë autoritetet.
Në ishullin indonezian të Sumatrës, i cili është goditur rëndë, 52 persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani këtë mëngjes, sipas Abdul Muhari, zëdhënës i agjencisë së fatkeqësive të Indonezisë.
Në rajonin Padang Pariaman të Sumatrës, ku vdiqën gjithsej 22 persona, banorët u përballën me nivele uji prej të paktën një metër.
“Po na mbarojnë furnizimet dhe ushqimet”, tha banori 40-vjeçar Muhammad Rais, i cili u detyrua të zhvendosej në katin e dytë të shtëpisë së tij për t’i shpëtuar nivelit të ujit që po rritej me shpejtësi.
Sistemi i telekomunikacionit ishte jashtë funksionit në disa pjesë të ishullit dhe autoritetet po punonin për të rivendosur furnizimin me energji elektrike dhe për të pastruar rrugët e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut.
Qeveria tajlandeze tha në një deklaratë se 87 persona kishin vdekur në përmbytjet në tetë provinca jugore.
Ajo tha se më shumë se 3.5 milionë njerëz u prekën në total.
Në Malajzi, ku u konfirmuan të vdekur dy persona, stuhia tropikale Senyar mbërriti në tokë rreth mesnatës dhe që atëherë është dobësuar.
Autoritetet meteorologjike kanë parashikuar shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta dhe kanë paralajmëruar se deti i trazuar mund të paraqesë rrezik për anijet më të vogla.







