Irani ka vendosur të bojkotojë shortin e grupeve të Kupës së Botës 2026, pasi Shtetet e Bashkuara refuzuan t’u lëshojnë viza disa anëtarëve të delegacionit të saj, njoftoi sot (e premte) Federata Iraniane e Futbollit.
Shorti për Kupën e Botës, i cili do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja verën e ardhshme, do të mbahet në Uashington më 5 dhjetor, por Irani nuk do të marrë pjesë.
“Ne e kemi informuar FIFA-n se vendimet e marra nuk kanë të bëjnë me sportin dhe se anëtarët e delegacionit iranian nuk do të marrin pjesë në shortin e Kupës së Botës”, njoftoi një zëdhënës i Federatës Iraniane të Futbollit në televizionin shtetëror.
Mediat lokale raportojnë se presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, si dhe drejtori ekzekutiv i ekipit kombëtar, Mehdi Kharati, janë midis zyrtarëve që nuk morën vizë.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi në tetor se amerikanët kishin refuzuar vizat për gjithsej shtatë zyrtarë iranianë.
Kosova mëson vazon nëse kualifikohet në Kupën e Botës
Ndryshe, Irani është në vazon e dytë përpara shortit, së bashku me kombëtare tjera si Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria dhe Australia.
Iranianët kanë marrë pjesë në Kupën e Botës gjashtë herë dhe nuk e kanë kaluar kurrë fazën e grupeve.







