Mbulesa e kaltër mbrojtëse e vendosur mbi bajpasin e kanalit të Ibër-Lepencit është pikërisht pjesa ku është raportuar dëmtimi më i ri i këtij rrjeti ujor, rreth një vit pas shpërthimit të fundit në këtë kanal. Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të panjohur kanë përdorur mjete të forta për të dëmtuar një segment të kanalit në komunën e Zubin Potokut.
Sipas raportit 24-orësh, incidenti dyshohet të ketë ndodhur ndërmjet datave 22 dhe 25 nëntor 2025. Autoritetet kanë konstatuar se dëmtimi është shkaktuar në pjesën e bajpasit, ku mbulesa e kaltër plastike — e cila shërben për izolim dhe mbrojtje të kanalit — është shqyer dhe dëmtuar dukshëm. Rasti është iniciuar si asgjësim apo dëmtim i pronës.
Ky zhvillim vjen rreth një vit pas sulmit të 29 nëntorit 2024, i cilësuar nga institucionet shtetërore si akt terrorist, kur një shpërthim dëmtoi rëndë strukturën e kanalit në fshatin Varage.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa dëmtimi i një infrastrukture të tillë strategjike ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë në rajon.







