Xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, kanë përfunduar zyrtarisht. Projekti, i cili ka ngjallur interes të madh që në fazat e para të tij, është realizuar përgjatë 35 ditëve xhirimi, duke nisur më 4 tetor dhe duke u mbyllur më 19 nëntor.
Filmi është prodhuar nga Valon Bajgora, Yll Uka dhe Agon Uka nga Ikonë Studio (Kosovë), ndërsa vjen si bashkëprodhim ndërkombëtar me Alva Film nga Zvicra, nëpërmjet producentëve Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin, si dhe me Kazak Productions nga Franca, përfaqësuar nga Amaury Ovise.
Në rolet kryesore të filmit “DUA” do të shfaqen emra të njohur të skenës dhe ekranit si: Pinea Sylejmani, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.
Përfundimi i xhirimeve shënon një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të këtij projekti që pritet të sjellë një histori të fuqishme, me të njëjtën qasje artistike që e karakterizon regjisorën Basholli, e cila më herët ka korrur sukses të madh ndërkombëtar me filmin “Zgjoi”.
Filmi tashmë hyn në fazën e post-produksionit dhe pritet të debutojë në festivale ndërkombëtare gjatë vitit të ardhshëm.







