Ousmane Dembélé mund të rikthehet për Paris Saint-Germain në ndeshjen e së mërkurës kundër Tottenhamit në Champions League, e cila luhet në “Parc des Princes”.
Fituesi i Topit të Artë ka kaluar një sezon të mbushur me probleme dëmtimesh, duke u aktivizuar vetëm në nëntë ndeshje pas dy lëndimeve të veçanta që e larguan nga fusha për periudha të gjata.
Megjithatë, pas stërvitjes së tij të plotë të së martës, trajneri Luis Enrique pranoi se shanset për një rikthim janë të mëdha.
“Ai është stërvitur mirë. Do të shohim nesër. Nëse nuk ka ndonjë problem, do të jetë në skuadër,” tha Enrique para gazetarëve.
Kjo është një shtysë e rëndësishme për PSG-në para një sfide vendimtare, sidomos pas humbjes në shtëpi ndaj Bayern Munich në ndeshjen e fundit europiane në fillim të muajit.
Kjo do të jetë përballja e dytë mes PSG dhe Tottenham këtë sezon, pas një ndeshjeje dramatike në Superkupën e UEFA-s në gusht. Spurs ishin në epërsi 2–0 dhe pranë një fitoreje historike, por Dembélé udhëhoqi një rikthim të jashtëzakonshëm, me PSG-në që fitoi më pas me penallti pas barazimit 2–2.
PSG kishte vetëm një javë në përgatitjet parasezonale para asaj ndeshjeje në Udine, dhe Luis Enrique paralajmëroi se këtë herë ndeshja do të jetë krejt tjetër, ai po ashtu theksoi se PSG tani është më e përgatitur për të qenë skuadër dominante







