FC Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Afrim Tovërlanit si trajner të ri të ekipit. Pas ndarjes me Arsim Thaqin, klubi nuk humbi kohë dhe vendosi t’i besojë udhëheqjen ish-trajnerit të tij, i cili deri më tani drejtonte Kombëtaren U-21 të Kosovës.
Njoftimi për rikthimin e Tovërlanit, i njohur me nofkën “Toki”, u publikua nga faqja zyrtare e klubit:
“FC Prishtina ka kënaqësinë ta prezantojë trajnerin e ri të skuadrës, Afrim Tovërlanin, i cili rikthehet pas 11 vitesh në krye të bardh e kaltërve. ‘Toki’ kthehet në shtëpinë e tij, aty ku ka lënë gjurmë të thella si futbollist dhe trajner.”
Tovërlani ka drejtuar më parë Prishtinën në dy periudha (2007–2009 dhe 2012–2014), duke fituar shtatë trofe, përfshirë titullin kampion, Kupën e Kosovës dhe Superkupën, duke u bërë një nga trajnerët më të suksesshëm të klubit në historinë moderne.
Përveç sukseseve si trajner, Tovërlani ka një karrierë të pasur edhe si futbollist i FC Prishtinës. Në vitet ’80 dhe ’90, ai ishte një figurë kyçe dhe shpesh kapiten i ekipit, duke kontribuar në periudhat më të lavdishme të klubit dhe duke fituar trofe të rëndësishëm.
FC Prishtina i uron mirëseardhje Afrim Tovërlanit dhe shumë suksese në detyrën e tij të re, me besimin se përvoja dhe profesionalizmi i tij do t’i rikthejnë klubit lavdinë dhe trofetë e pritshëm nga tifozët.
Ekipi nga kryeqyteti mban vendin e parë në tabelë me 26 pikë nga 13 ndeshje. /ATVLIVE.TV







