Arsenali ka arritur një fitore të madhe në Premierligë, duke mposhtur rivalin e tij të qytetit, Tottenhamin, me rezultatin bindës 4-1 në derbin e Londrës Veriore. Pas këtij triumfi, “Topçinjtë” shkojnë në +6 pikë në krye të tabelës.
Pjesa e parë nisi me një dominim të Arsenalit, që e hapi serinë e golave në minutën e 36-të, kur Leandro Trossard shënoi pas një asistimi nga Mikel Merino. Ky gol erdhi pas një periudhe dominuese të Arsenalit, i cili pati disa mundësi për të shënuar para se të konkretizonte.
Pesë minuta më vonë, Arsenali shtoi epërsinë me një gol të dytë nga Eberechi Eze, që shënoi pas asistimit nga Declan Rice. Me rezultatin 2-0 u mbyll pjesa e parë.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lartë dhe Eze shënoi golin e tij të dytë dhe të tretin për Arsenalin, duke realizuar në minutën e 46-të pas një asistimi nga Jurrien Timber.
Tottenham reagoi në minutën e 55-të, kur Richarlison shënoi një supergol nga distanca, duke ngushtuar diferencën në 3-1. Megjithatë, Arsenali nuk u ndal, dhe Eze plotësoi “hattrickun” e tij, duke realizuar golin e katërt të ndeshjes.
Me këtë fitore, Arsenali arrin në 29 pikë pas 12 ndeshjeve, duke e ruajtur vendin e parë në tabelë me 6 pikë më shumë se Chelsea, që ndodhet në vendin e dytë. Ndërsa Tottenhami mbetet i nënti me 18 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Arsenali do të vizitojë Chelsean në “Stamford Bridge”, ndërsa Tottenhami do të presë Fulhamin në shtëpi. /ATVLIVE.TV







