Rreth 120 kilogramë substancë narkotike janë gjetur dhe sekuestruar në një autobus që po qarkullonte në rajonin e Prishtinës, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të autobusit, të cilin e drejtonte i dyshuari B.K.
Menjëherë pas gjetjes së drogës, shoferi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, së bashku me Prokurorinë Speciale, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Me vendim të Prokurorisë Speciale, B.K. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë. Autoritetet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së komunitetit.







