Nga Prokuroria Speciale kanë reaguar lidhur me deklaratën e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqit, i cili tha se prapa shkarkimit të Besim Kelmendit si U.D i Kryeprokurorit të Shtetit, qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Nga kjo Prokurori kanë mohuar se Isufaj qëndron prapa kësaj, duke thënë se çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial.
:Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës informon opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së. Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Isufaj “mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”.
Ndryshe, anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi, ka thënë se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të deyrës së Kryeprokurorit të Shtetit bazohet në energjinë e qartë të një puçi institucional.
“Propozimi për shkakrimin e zotit Kelmendi bazohet në një energji të qartë të një puçi institucional, duke tentuar të vendoset përfundimist mbi udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit në mënyrë të jashtëligjshme”, tha ai.
Krasniqi tha se prapa gjithë kësaj qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.
“Në njëfarë forme edhe ushtrues i detyrës e tha në takim, mbrapa të gjithë këtij planifikim dhe mbrapa të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, zoti Blerim Isufaj”, tha ai.







