spot_imgspot_img
spot_img

Çka po i sjellin resurset Kosovës?

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, deri në këtë fillim nëntor, regjistroi të hyra prej 25.8 milionë eurosh.

Rregullatorit të sektorit minerar në vend, i duhet t’i inkasojë edhe mbi tre milionë euro, për ta realizuar planin vjetor.

Burim kryesor financiar për KPMM-në, është renta minerare, që paguhet nga kompanitë që shfrytëzojnë mineralet e Republikës.

Paratë më pas shkojnë në arkë të shtetit.

Këto pagesa rregullohen përmes vendimit për Listat për Rentat Minerare.

Sidoqoftë, në vitin 2024, KPMM-ja pat planifikuar të inkasojë mbi 30.3 milionë euro, ndërsa realizoi rreth 28.5 milionë.

Kjo përbën 300 mijë euro më pak nga shuma që planifikon të inkasojë këtë vit.

Referuar portalit të të dhënave të KPMM-së, mbi 40 aplikacione për shfrytëzim të resurseve, presin përgjigje nga bordi.

Në listë ka kompani që janë në pritje prej vitit 2022, ndonëse KPMM-ja deklaron se aplikacionet shqyrtohen sipas radhës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala thotë se rënia e të hyrave të planifikuara, është indikator se sektori po pëson rënie.

“Të gjithë parametrat tregojnë që sektori ka rënie të madhe”, thotë Shala.

Sidoqoftë, vitin e kaluar, aplikimet e ndërmarrjes Trepça për minierat e saj, ishin trajtuar me më shumë prioritet.

Madje kjo kompani, është edhe borxhliu më i madh ndaj KPMM-së, për rent minerare, me gjithsej 7.3 milionë euro detyrime.

Legjislacioni në fuqi, përcakton se në rast të mospagesës së rentës minerare në afat KPMM-ja do të nxjerrë një “Njoftim për Dështim”.

“Borxhi aktual i “Trepça” Sh.A., ndaj Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për të gjitha licencat në fuqi, është 7,348,762.17 €.Deri më tani, “Trepça” Sh.A nuk ka pranuar asnjë njoftim për dështim nga KPMM, që zakonisht u dërgohet ndërmarrjeve kur nuk i kryejnë detyrimet e tyre ndaj rregullatorit”, deklarojnë nga ndërmarrja.

Qasja e bordit tre anëtarësh të rregullatorit, vlerësohet të jetë edhe dëmshme.

“Me këtë neglizhencë ndaj palëve, ndaj klinetëve, ndaj biznesmenëve, ndaj ndërmarrësve është jashtëzakonisht shqetësuese dhe jashtëzakonisht me pasoja ekonomike dhe të përgjithshme për vendin”, sipas deputetit Shala.

Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tregon se ka kompani që kanë larguar edhe punëtorë nga puna.

“Fatkeqësisht kemi biznese të cilat iu ka ra me të madhe fuqia e tyre në treg. Kemi biznese të cilat fatkeqësisht kanë filluar ta ulin numrin e punëtorëve, për shkak se në momentin kur ti nuk ke mundësi të punosh, atëherë nuk ke se si i mban punëtorët”, thotë Ahmeti.

Ahmeti thotë se edhe Ligji për Pronën Publike, i miratuar në vitin 2023, po i mban ndërmarrjet e sektorit peng për të marrë licencë për aktivitet në tokë të shtetit.

“Ky Ligj për Pronën Publike, në një farë mënyre e ka bllokuar edhe punën e KPMM-së, pasiqë Agjencia e Pyjeve që është e autorizuar edhe me ligj t’i jap autorizimet e para ose të bëjë marrëveshje me kompanitë të cilat i marin në shfrytëzim pronat që menaxhohet nga kjo agjenci, nuk po mund të funksionalizohet shkaku i këtyre bllokadave që i shkaktoi Ligji për Pronën Publike”, deklaron Ahmeti.

Nga kjo dhomë alarmojnë se bizneset po e lënë Kosovën për vendet e rajonit.

Në listën e aplikacioneve që presin shqyrtim nga bordi, dominojnë ato për hulumtim.

Numri i tyre, e kalon 200, ndërsa ka të tilla që presin përgjigje që tri vjet.

Për këso aktiviteti, kanë aplikuar edhe kompani nga jashtë.

“Në rend të parë e ka obligim komisioni që t’u krijojë hapësirë hulumtuese, sepse Kosova nuk humb gjë nga hulumtimet profesionale shkencore për resurset  e veta, pra e bënë të njohur pasurinë nëntokësore të saj”, deklaron deputeti Shala.

Nga Dhoma e Industrisë thonë se shteti jep mesazh të keq për investitorë të huaj potencial.

Nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, thonë se aplikacionet po trajtohet sipas rregullave.

“Sa i përket aplikacioneve të ndërmarrjeve ndërkombëtare, ju informojmë se të gjitha aplikacionet janë duke u shqyrtuar me radhë, sipas procedurave ligjore dhe administrative në fuqi”, përgjigjen nga KPMM-ja.

ATV ka informacion se për këto vonesa në shqyrtim janë të njoftuar edhe disa ambasada.

Madje, ka të tillë që synojnë të hulumtojnë edhe ari, porse nuk pati gatishmëri për t’u deklaruar nga frika se dëmtohen.

Ndërkaq, shteti nuk ka shumë informacione zyrtare për arin në tokë të vet.

“Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vend burimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg. Sipas vendburimeve, vlerësohen këto përmbajtje të arit: Stantërg: 0.6 g/t, Bellobërdë: 0.7 g/t, Cërnac:1.0 g/t, Hajvali: 0.5 g/t, Kizhnicë: 1.1 g/t, Badovc: 0.25 g/t, Artanë: 1.6 g/t, Crepulë: 0.13 g/t19”, thuhet në Strategjinë Minerare të Kosovës.

Nëse një hulumtim rezulton me një minierë të arit, shteti përfiton 5% të çmimit për kilogram.

Sidoqoftë, kompanitë i paguajnë shtetit edhe për hulumtime.

Udhëzimi Administrativ për Shpenzimet Minimale të Hulumtimit, tregon për çdo lloj hulumtimi, në vitin e parë kompania paguan 10 Euro për hektarë, në të dytin 20 dhe në të tretin 30 Euro.

“Për të gjitha vazhdimet tjera të licencës sëhulumtimit të aplikohet vlera minimale eshpenzimeve.Për çdo vit të licencës 50 € (Euro) për1ha (një hektar)”, përcakton udhëzimi.

Bordi i KPMM-së, emërohet nga Kuvendi me propozim të qeverisë.

Në maj të vitit të kaluar, në këtë pozitë u vendosën Habib Basholli, Nasuf Mjekiqi dhe Bahri Karaça.

Kuvendi ka përgjegjësinë edhe të mbikëqyrjes së punës së tyre, por këtë nuk mund ta bëjë në mungesë të komisionit përkatës.

Naim Jakaj nga Insitututi i Kosovës për Drejtësi, thotë se pa mbikëqyrje rriten gjasat për keqpërdorime.

“Njëri ndër katër funksionet kryesore të Kuvendit të Kosovës është funksioni mbikëqyrës të cilin nuk mund ta realizojë aktualisht, pasi që nuk është formuar qeveria e Kosovës dhe rrjedhimisht nuk mund të formohen komisionet parlamentare. Dhe në këtë drejtim këto trupa që janë themeluar dhe ndërtuar nga Kuvendi i Kosovës, mund të bëjnë çfarë të dojnë dhe të mos vihen para përgjegjësisë”, thotë Jakaj.

Në 2021-tën, vit pandemik, KPMM-ja realizojë të hyra për pak më shumë se 20 milionë Euro, ndërsa në vitin 2022, 31.1 milionë dhe në atë 2023, mbi 27.6 milionë euro.

Për një periudhë, rregullatori nuk kishte fare bord aktiv, që bëri që qindra aplikacione të mbesin pa u shqyrtuar.

 

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA