Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka premtuar se Gjermania do të pajisë Ukrainën me sisteme armësh me rreze të gjatë veprimi, megjithëse nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për furnizimin me raketa Taurus.
Kur u pyet lidhur me këtë çështje, Merz tha: “Në muajt e fundit, ne kemi punuar intensivisht me qeverinë ukrainase në projekte që teknikisht i quajmë zjarr me rreze të gjatë veprimi. Ushtria ukrainase do të pajiset me sisteme të tilla armësh.”
Ai shtoi se Gjermania dhe Ukraina kanë rënë dakord të mos diskutojnë më publikisht detajet, pasi duan që “pala ruse të ketë një shkallë pasigurie në lidhje me fushëveprimin e mbështetjes sonë ushtarake”.
Merz theksoi se Gjermania “po bën gjithçka që është e mundur për të pajisur ushtrinë ukrainase me sisteme armësh që posedojnë rreze të mjaftueshme veprimi”.
Ai gjithashtu shtoi: “Kjo sasi do të rritet në javët dhe muajt e ardhshëm, nëse është e nevojshme, derisa sisteme të tilla armësh të prodhohen edhe në Ukrainë.”







