Ternopil, qyteti perëndimor i Ukrainës, u godit rëndë gjatë natës nga një sulm masiv me dronë dhe raketa, duke shkaktuar tragjedi të madhe në mesin e civilëve. Sipas ministrit të brendshëm të Ukrainës, të paktën 26 persona janë vrarë, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Ihor Klymenko tha të mërkurën se 26 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur pas sulmeve, mes tyre edhe tre fëmijë, ndërsa gati 100 persona kanë mbetur të plagosur. Sulmet ruse kanë përfshirë një numër të madh mjetesh luftarake ajrore – 476 dronë dhe 48 raketa – të cilat goditën infrastrukturën e energjisë dhe të transportit, duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në disa rajone, në kohën kur vendi po përballet me temperatura jashtëzakonisht të ulëta.
Në Ternopil, katet e sipërme të një ndërtese banimi u shembën nga goditjet. Skenat nga vendi i ngjarjes treguan tym që ngrihej lart mes përpjekjeve të ekipeve të zjarrfikësve për të shuar flakët, ndërsa banorët, të shokuar e të dërrmuar, qëndronin jashtë duke pritur informacione për të afërmit e tyre.
Klymenko, duke raportuar në Telegram, njoftoi se ekipet e emergjencës po punonin pandërprerë gjatë gjithë natës, duke kontrolluar rrënojat e ndërtesës së shkatërruar, raporton Reuters.
“Shumë punë na pret. Gjëja kryesore është të gjejmë ata që mund të jenë ende nën rrënoja”, shkroi ai.
Ai shtoi se “në ndërtesën ku dy hyrje u dogjën plotësisht, asnjë apartament nuk mbeti i paprekur. Flakët u përhapën menjëherë dhe e përfshiu ndërtesën në një valë. Njerëzit u tmerruan dhe u përpoqën të hidheshin nga dritaret”.
Zyrtarët konfirmuan se në mesin e viktimave janë edhe tre fëmijë.
Polonia, shtet anëtar i NATO-s që kufizohet me Ukrainën perëndimore, ndërmori masa paraprake pas sulmeve, duke mbyllur përkohësisht aeroportet e Rzeszow dhe Lublin në juglindje të vendit, si dhe duke ngritur në ajër avionë polakë dhe aleatë për mbrojtjen e hapësirës ajrore.







