Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar një arritje historike në përditësimin më të fundit të renditjes së FIFA-s, pas paraqitjeve të shkëlqyera në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
‘Dardanët’ siguruan një vend në ‘play-off’-in e Botërorit 2026 duke e mbyllur Grupin B në pozitën e dytë, ku u përballën me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.
Në këtë kampanjë, Kosova arriti tre fitore, dy barazime dhe një humbje. Kulmi i paraqitjeve pozitive erdhi me fitoren ndaj Sllovenisë në Ljubljanë dhe barazimin ndaj Zvicrës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Këto rezultate kanë kontribuar që Kosova të shënojë një tjetër ngritje të konsiderueshme në renditjen e FIFA-s, pas asaj të nëntorit të këtij viti.
Kosova është ngjitur për katër vende dhe tani renditet në pozitën e 80-të, duke lënë pas përfaqësuese si Curaçao, Guinea dhe Mali i Zi.
Ndërkohë, Shqipëria ka rënë dy pozita dhe aktualisht mban vendin e 63-të. /ATVLIVE.TV







