Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të sotme në Kuvend, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe si një shkelje të traditave parlamentare të Kosovës.
Limaj tha se mënyra se si po procedohet me seanca dhe vendime është “tallje me demokracinë” dhe se po tentohet përmbysja e praktikave të ndërtuara ndër vite.
“Kjo çfarë ka ndodh sot, nuk është dashur t’i ndodh demokracisë dhe shtetit të Kosovës. Kjo është një tallje, mënyra se qysh tentohet të përmbyset krejt ajo traditë e mirë e ndërtuar në Kosovë”, deklaroi ai pak para nisjes së seancës për formimin e Qeverisë së re
Sipas tij, procedurat po ndiqen në mënyrë të kundërt me rregullat e Parlamentit.
“Nuk ka seancë paradite për komisione e buxhet, e pasdite me zgjedh qeveri. Rregullat ndryshe janë: zgjidhet qeveria, pastaj shkohet me komisione e buxhet”, theksoi Limaj.
Ai shtoi se veprimet e sotme nuk kanë për qëllim adresimin e nevojave të vendit, por synime të pastërta elektorale.
“Kjo tregon se ne jemi në një lojë, thjeshtë. Lojë, e cila kalkulisht ka qëllim elektoral, nuk e ka aspak shqetësimin e nevojave dhe kërkesave që ka Kosova,” tha lideri i Nismës.







