Filmi shqiptar “Luna Park” shfaqet sot, më 19 nëntor 2025, premierë në Cineplexx – Albi Mall, duke sjellë në Prishtinë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare të këtij viti. Në premierë do të jenë të pranishëm kasti i filmit si edhe njëri nga producentët, Fatmir Spahiu, duke e bërë mbrëmjen edhe më të veçantë për publikun.
Ky film me regji të Florenc Papas është përzgjedhur zyrtarisht të përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në Oscars 2026, pasi kandidatura e tij është dorëzuar nga “On Film Production” dhe është miratuar nga Komisioni Përzgjedhës. Kjo zgjedhje konsiderohet një hap i rëndësishëm për kinematografinë shqiptare dhe kosovare, duke i dhënë filmit një dimension të ri ndërkombëtar.
“Luna Park” zhvillon historinë e tij në realitetin postkomunist të Shqipërisë, duke ndjekur rrugëtimin emocional të Mirës, një nënë e vetmuar, dhe djalit të saj adoleshent, Tonit, teksa përballen me trazirat civile që godasin vendin. Filmi sjell një qasje të drejtpërdrejtë dhe të guximshme mbi një periudhë të ndërlikuar historike e sociale.
Në film marrin pjesë emra të njohur të skenës filmike: Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani. Ekipi krijues përfshin skenaristët Florenc Papas dhe Glykeria Patramani, kinematografin Simos Sarketzis, redaktoren Federica Forcesi, dizajnerin Durim Neziri, kostumografen Stela Laknori dhe muzikën e Mater Merlic.
Producentët e projektit janë Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri dhe Fatmir Spahiu, ndërsa filmi është realizuar nga On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus dhe Buka Production.
Ndërkohë, “Luna Park” është përzgjedhur pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në GOA, Indi, duke e zgjeruar prezencën e tij në skenën ndërkombëtare.
Premiera e sotme në Kosovë ofron një moment të veçantë për publikun dhe median, të cilët do të kenë mundësi të shohin nga afër një projekt filmik tashmë të vlerësuar dhe me ambicie të qarta ndërkombëtare.







